Lajm “bombë” nga Spanja, Zinedin Zidan do të largohet nga Reali i Madridit në fundin e këtij sezoni. “Telemadrid”, kanali i komunitetit të Madridit ka siguruar ditën e djeshme se francezi ka vendosur që ta braktisë detyrën si trajner kur të përfundojnë dy ndeshjet aktuale.
Sipas këtij burimi, nuk bëhet fjalë për një vendim të menjëhershëm apo surprizë. Numri një i stolit madrilen e ka menduar gjatë sezonit këtë gjë dhe ka arritur në përfundimin se ka ardhur koha që të largohet sërish nga klubi spanjoll.
Mes motiveve kryesore që e kanë detyruar francezin që ta lërë Realin një vit përpara përfundimit zyrtar të kontratës është lodhja, jo në aspektin fizik, por më shumë në aspektin psikologjik. Sezoni i gjatë me dëmtime dhe me probleme që ka shoqëruar Realin, ka bërë që Zizu të lodhet dhe të ketë nevojë për një pushim ose ndoshta për një objektiv tjetër interesant. Në vendimin e Zidanit nuk ka lidhje fare eliminimi i Realit nga Liga e Kampionëve në gjysmëfinale kundër Çelsit, por as dështimi i mundshëm në La Liga.
Kanë mbetur dy javë nga fundi dhe duhet që Atletiko të ndalet në një ndeshje dhe Reali t’i fitojë të dyja. E ardhmja e Zidanit në stolin e “Santiago Bernabeu”- t ka qenë një diskutim prej muajsh, aq sa vetë trajneri u zemërua dhe reagoi ashpër në konferencë kundër gazetarëve. Ai kërkoi më shumë respekt nga ana e gazetarëve për kritikat e shumta që i janë bërë gjatë kësaj kohe. Nuk dihet ende nëse fitorja e titullit kampion në Spanjë mund ta ndryshojë mendimin e tij, por për momentin nuk ka dëshirë që të vazhdojë.
E ARDHMJA – Nuk dihet nëse Zizu do të pushojë ndonjë sezon apo do të nisë një tjetër aventurë. Skuadra e Juventusit ka shfaqur interesim të madh për francezin, por sigurisht që gjithçka do të varet edhe nga kualifikimi i mundshëm i bardhezinjve në Ligën e Kampionëve. Reali i Madridit gjithashtu do të duhet të kërkojë një tjetër trajner për të zëvendësuar Zinedin Zidanin, i cili në aventurën e tij në krye të klubit spanjoll nuk ka zhgënjyer dhe ka fituar trofe shumë të rëndësishëm.