Bota bën thirrje për ndalje të dhunës në konfliktin izraelito-palestinez

Shtete nga e gjithë bota kanë bërë thirrje për qetësi pas disa ditëve të trazirave, që janë kthyer në sulme hakmarrëse nga izraelitët dhe palestinezët.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar i kanë bërë thirrje Izraelit dhe palestinezëve që të ulin tensionet sa më shpejt që është e mundur.

Dhuna është përshkallëzuar në mbrëmjen e së hënës pasi militantët palestinezë kanë gjuajtur raketa drejt Jerusalemit.

Si përgjigje, ushtria izraelite ka nisur sulme ajrore kundër shënjestrave të militantëve në Rripin e Gazës.

Zyrtarët shëndetësorë palestinezë në Gaza kanë thënë se 22 persona, përfshirë nëntë fëmijë, kanë vdekur në sulme.

Ushtria e Izraelit ka thënë se të paktën 15 anëtarë të grupit të Hamasit, që drejtojnë Gazan, kanë qenë në mesin e të vdekurve.

Hamasi ka kërcënuar me sulme, pasi qindra palestinezë janë plagosur në përleshjet me policinë izraelite në një qendër të shenjtë në Jerusalem, ditën e hënë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë se Hamasi ka “kaluar linjën e kuqe”, dhe se Izraeli do të përgjigjet me “forcë të madhe”.

Në ditët e fundit është parë dhuna më e madhe ndër vite në Jerusalem, me përleshje në mes të policisë izraelite dhe protestuesve palestinezë në pjesën e vjetër të qytetit të Jerusalemit.

Përleshjet kanë nisur pas rritjes së zemërimit të palestinezëve rreth kërcënimeve për dëbime të familjeve nga shtëpitë e tyre në Jerusalemin Lindor nga ana e izraelitëve.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *