Me rastin e 9 Majit – Ditës së Evropës, Universiteti i Tetovës, përkatësisht Fakulteti Juridik, organizoi një diskutim online për ta shënuar këtë ditë të rëndësishme për kontinentin tonë.Në shënimin e kësaj date i ftuar special ishte ambasadori i BE-së në Maqedoninë e Veriut, ekselenca e tij David Geer.Këtë aktivitet e shpalli të hapur prorektori për marrëdhënie ndërkombëtare i UT-së, Prof. Dr. Shefik Shehu, ndërkaq dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Qebir Avziu, mbajti një fjalim përshëndetës.Diskutimi kishte në fokus zhvillimet aktuale rreth procesit integrues të vendit tonë drejt BE-së, përfshirë sfidat që mbizotërojnë si dhe mundësitë për tejkalimin e tyre. Në fjalën e tij, ambasadori Geer e vuri theksin në vështirësitë e shkaktuara nga pandemia Kovid-19 dhe qasjen proaktive të BE-së për të mbështetur vendet e Ballkanit në këtë sfidë. Ai po ashtu, potencoi edhe nevojën për riafirmim të vazhdueshëm të vlerave mbi të cilat funksionon BE-ja, siç janë solidariteti e bashkëpunimi, gjë që bëhet e nevojshme posaçërisht në kohë sfidash e vështirësish.
Meqë slogani i ngjarjes ishte “Edukimi i rinisë drejt të ardhmes evropiane”, z. Geer e nënvizoi rëndësinë e arsimimit dhe edukimit të rinisë për t’u shndërruar në qytetarë të angazhuar aktivisht në çështjet shoqërore. Takimi online u moderua nga Doc. Dr. Gjeraqina Leka, ndërsa diskutimi me studentët nga Fakulteti Juridik dhe stafin akademik u zhvillua në temat që prekin marrëdhënien midis BE-së e Ballkanit perëndimor, me theks të veçantë vendin tonë. Diskutimi i përbashkët u përmbyll me shpresë se vitin e ardhshëm, kjo ditë do të shënohet në kushte të normalizuara dhe me prezencë fizike, ndërsa ambasadori Geer premtoi se në të ardhmen e afërt do ta vizitojë Universitetin e Tetovës