Është mirë që pas nëntë muajve, tani është vendosur komunikimi me institucionin e Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, që mund të jetë në drejtim të një dialogu më produktiv politik, tha presidenti Stevo Pendarovski, transmeton Alsat.
Në një deklaratë për Deutsche Welle, pendarovski theksoi se dialogu produktiv politik mungon shumë në vendin tonë.
Kjo deklarata e Presidentit erdhi pasi dje lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski informoi se pas një bisede me kreun e shtetit, është vendosur që gjatë ditës së premte të ketë takim, ku mes tjerash do të diskutohet për “27 prillin” si dhe gjendjen politike dhe ekonomike në vend.
Ndryshe, muaj më parë VMRO-DPMNE njoftoi se do të ngrijë marrëdhëniet me Presidentin e vendit pasi ai vendosi t’i japë mandatin për formimin e Qeverisë udhëheqësit të LSDM-së, Zoran Zaev.