Porti i Durrësit ka mirëpritur një fluks të madh kontenjerësh dhe kamionësh të mëdhenj këtë javë në prag të stërvitjeve të NATO-s.
Fjala është për një përqëndrim mjetesh ushtarake që zyrtarët amerikanë thanë se nuk është parë në vendin buzë Adriatikut që nga Lufta e Dytë Botërore.
Rreth 700 pajisje nga Skuadra Luftarake e Brigadës së 53-të e Këmbësorisë së Gardës Kombëtare të Floridës po shkarkoheshin nga anija US HNS Bob Hope në Durrës.
Ato do të përdoren për dy javë trajnim që përfshijnë deri në 6,000 forca amerikane në gjashtë baza ushtarake shqiptare.
Kjo është pjesë e stërvitjeve ushtarake shumëkombëshe Defender-Europe 21 të drejtuara nga ushtria amerikane, të cilat janë përqëndruar në parandalimin e agresionit dhe ruajtjen e gatishmërisë operacionale me NATO-n dhe një numër më të madh aleatësh dhe partnerësh. Ato do të zhvillohen nga 17 maji deri më 2 qershor.
“Shqipëria është një partner i vlefshëm. Ushtarakët tanë përfitojnë duke u trajnuar së bashku, duke rritur ndërveprimin, duke ndërtuar gatishmërinë operacionale dhe duke forcuar marrëdhëniet – të gjitha këto mundësojnë aftësinë tonë për t’iu përgjigjur çdo krize, në çdo kohë, së bashku me aleatët dhe partnerët tanë,” tha të shtunën Tammy Muckenfuss e kontingjentit të ushtrisë amerikane për Evropën dhe Afrikën, me qendër në Gjermani, njofton zeriamerikes.
Për majorin Randall Moran, “bashkimi i të gjitha këtyre grupeve është diçka shumë e veçantë”.
Zhytësit vazhdojnë të kontrollojnë thellësinë prej 7 metrash të portit. Por dy anijet mbështetëse logjistike që transportojnë automjetet mund të veprojnë në ujë të cekët dhe po punonin pa ndërprerje për të sjellë pajisjet ushtarake.