Edicioni i katërt i Samitit të Kinës Digjitale përfundoi në Fuzhou, kryeqendra e provincës Fujian, në Kinën lindore, me investime me vlerë 318.8 miliardë juanë (rreth 49 miliardë dollarë) në 523 projekte të nënshkruara gjatë veprimtarisë.
Projektet mbulojnë fusha të tilla si inteligjenca artificiale, 5G, interneti industrial që mishërojnë rolin e samitit si një platformë për shkëmbime në teknologjinë digjitale dhe bashkëpunimin industrial, bën të ditur “Xinhua”.
Shfaqja e parë publike e juanit digjital gjithashtu u zhvillua gjatë veprimtarisë. Disa ndërmarrje në pronësi të shtetit, përfshirë industrinë bërthamore kombëtare të Kinës dhe rrjetin shtetëror, kanë demonstruar risitë e tyre në transformimin digjital.
Ngjarja dyditore, e mbajtur në internet, u nda në shtatë seksione, duke përfshirë forumin kryesor, një ekspozitë, 20 sesione më të vogla dhe një konkurs inovacioni.
Ekspozita, e cila zgjat deri të enjten, tërhoqi 54 kompani kryesore, duke përfshirë gjigandët e teknologjisë “Huawei”, “Alibaba” dhe “Tencent” dhe paraqet produktet dhe shërbimet e 36 ndërmarrjeve shtetërore.