Përfaqësuesit zyrtar të Maqedonisë së Veriut e kanë riafirmuar kërkesën e Këshillit të Evropës, që përfundimisht të materializohet vendimi për nisjen e negociatave në muajin mars, përmes miratimit të kornizës negociuese dhe mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare.
Ministri për Punë të Jashtme Bujar Osmani, dje si pjesë e aktiviteteve diplomatike, në kontekst të integrimeve evropiane të vendit, ka dërguar letër tek disa qendra politike në BE, ndërsa zv.kryeministri për Çështje Evropiane Nikolla Dimitrov, dje në një konferencë në Shkup potencoi se me shtyrjen e fillimit të nisjes së negociatave, humb RMV, por edhe rajoni, BE dhe Bullgaria.
Presidenti i vendit Stevo Pendarovski i cili është për vizitë në Bruksel, në një intervistë për AIM theksoi se pas pauzës prej një viti për shkak të pandemisë, duhet të kthehet komunikimi i përditshëm me BE-në dhe çështja më e rëndësishme – integrimi dhe konferenca e parë ndërqeveritare.
Pendarovski në intervistën për AIM të dhënë gjatë qëndrimit në Bruksel, ka thënë se ekzistojnë pak mundësi që Maqedonia e Veriut t’i hap negociatat me BE-në para 1 korrikut.
Ai edhe një herë i bëri thirrje Bullgarisë të emërojë individë për negociatat me RMV-në, me të cilin do të mund të vazhdojnë negociatat dhe të arrihet kompromis.
Pendarovski u shpreh i bindur se duhet të vazhdohet komunikimi me Brukselin, pasi siç tha, kjo nuk është alternativa e vetme, por edhe më e mira për RMV-në.