Sot dhe nesër zhvillohen ndeshjet e javës së 28-të

Java e 28-të në elitën e futbollit vendor do të zhvillohet brenda dy ditëve. Gjithçka nis me duelin e sotëm, Renova – Sileksi, për të vijuar më pas edhe të dielën me 5 ndeshje tjera interesante.

Renova mirëpret skuadrën nga Kratova në Tetovë, aty ku së fundmi të dyja skuadrat kishin barazuar pa gola. Ndeshjet mes këtyre dy skuadrave gjithnjë janë shumë të luftuara, duke mos sjellë futboll të bukur dhe gola. Më së miri për këtë flasin edhe 5 takimet e fundit në Tetovë, ku të dyja skuadrat kanë shënuar vetëm 5 gola. Pikët janë të rëndësishme më shumë se kurrë për të dyja skuadrat, që këtë vit më ndryshe se viteve tjera po luftojnë për mbijetesë.

Në një pozitë më të keqe është Renova e Osmanit, që nuk guxon të gabojë, por aspak më mirë nuk është edhe Sileksi i Goran Simov, që ka vetëm një pikë më shumë se skuadra nga Xhepçishti. Sileksi në 27 javë kampionat numëron 29 pikë, dhe aktualisht pozicionohet në vendin e 9-të, ndërkohë Renova me 28 pikë mban pozitën e 10-të.

NDESHJET E SË DIELËS – Shkëndija, që është shumë pranë titullit kampion do të udhëtojë për në Strumicë, për tu përballur me ekipin e fundit në tabelë, Bellasicën, FC Shkupi do ketë një transfertë të vështirë kundër Borecit në Veles, ndërkohë Struga Trim Lum do të kërkojë hakmarrjen ndaj Pelisterit për atë disfatë të disa javëve më parë në Strugë.

Makedonija Gj.P – Rabotniçki është dueli që luhet për Europë, ndërkohë Akademia Pandev – Vardari do të luajnë për mbijetesë, me vendasit që janë në një moment më të mirë, kjo edhe për shkak rezultateve më të mira, por edhe kualifikimit për në finalen e madhe të Kupës. (infOSport.mk)

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *