Kthimi në shkolla varet nga vaksinimi i mësimdhënësve

Procesi i vaksinimit kundër virusit korona të mësimdhënëseve ka filluar që nga java e kaluar. Vaksinimi së pari filloi me mësimdhënësit që janë duke zhvilluar mësimin me prezencë fizike, gjegjësisht mësuesit nga klasa e parë deri në të tretën. Nga Ministria e Arsimit për gazetën KOHA kanë thënë se janë në komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë si institucion kompetent për procesin e vaksinimit dhe prej nga ata marrin udhëzime për veprime të mëtejshme. “Presim dritë të gjelbër nga institucionet shëndetësore që të vazhdoj procesi i vaksinimit edhe për pjesën tjetër të mësimdhënësve, sepse dinamika e vaksinimit përcaktohet nga Ministria e Shëndetësisë”, shprehen nga atje.

Në ndërkohë, kreu Sindikatës për Arsim Shkencë dhe Kulturë (SASHK), Jakim Nedellkov, vlerëson që mësimdhënësit mund të kthehen në punë me prezencë fizike vetëm pasi të jenë vaksinuar me vaksinën kundër virusit korona. Deri atëherë, nga SASHK-u janë të qëndrimit që mësimi të vazhdojë nga distanca. “Vlerësojmë që mënyra e këtillë e mësimit duhet të vazhdojë deri në përmbyllje të vitit shkollor. Vetëm pasi të vaksinohen mësuesit – mund të fillojmë me mësimin me prezencë fizike”, deklaroi Nedellkov. Nga ana tjetër, mësuesit të cilët janë vaksinuar, kanë deklaruar se ndihen mirë dhe kanë bërë thirrje deri te të gjithë qytetarët që nëse ju jepet mundësia për t’u vaksinuar – ta pranojnë vaksinimin pa asnjë hezitim dhe të mos ju besojnë teorive konspirative që po qarkullojnë në rrjete sociale. Sipas tyre, vaksinimi është e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo katrahurë që është krijuar.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *