Me kënaqësi të veçantë informoj se në seancën e djeshme Qeveria miratoi Kontributin kombëtar të rishikuar në Marrëveshjen e Parisit për klimën, të propozuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor,me të cilën si synim kombëtar vendosi ambicien që në vitin 2030 të arrihet ulje prej 51% të emisioneve të gazrave serë krahasuar me emisionet e vitit 1990 “, tha ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini.
Ky dokument strategjik përfaqëson një kontribut të ri, më ambicioz në përpjekjet globale për të ulur emetimet e gazrave serë dhe është përqëndruar në zbutjen e ndryshimeve klimatike.
“Aspekti pozitiv i miratimit të këtij kontributi kombëtar ambicioz të rishikuar është përforcuar nga fakti se ai përcakton kontributin e vendit në zbatimin e Agjendës së gjelbër të BE-së dhe Planit të Investimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe mund të shërbejë si instrument për investime të zgjeruara,” shtoi Nuredini.
Në paraqitje janë përfshirë rezultatet e analizave për potencialin e zvogëlimit të emetimeve të gazrave serë, me ç’ rast janë analizuar gjithsej 63 politika dhe masa të zbutjes në sektorët:
Energji (përfshirë furnizimin me energji, sektorin rezidencial, sektorët jospecifik, industrinë dhe transportin),
Bujqësi,
Pylltari dhe përdorim tjetër i tokës,
Mbeturina dhe
Masa shtesë (duke mundësuar masa zbutëse).
Kontributi kombëtar i rishikuar në Marrëveshjen e Parisit është një reflektim i Skenarit të gjelbër të Strategjisë së zhvillimit të energjisë deri në vitin 2040 dhe është plotësisht në përputhje me Planin kombëtar të propozuar të energjisë dhe klimës.