Në Kuvend tashmë ka nisur takimi mes kryeministrit Zoran Zaev, liderit të Aleancës për Shqiptarët Zijadin Sela, si dhe liderit të Alternativës, Afrim Gashi. transmeton Alsat.Për të zgjidhur ngërçin Zaev pritet të thirret në ligjin e vitit 2004, kur për 2 vite u pajisën me shtetësi mbi 2.500 shqiptarë. Sikur 16 vite më parë do të vendosen kritere mbi bazën e të cilëve do të arrihet deri tek statusi shtetas. Disa nga kriteret janë: trashëgimi e shtetësisë nga prindërit e lindur në Maqedoninë e Veriut, përmes trashëgimit bashkëshortor, në bazë të lejes së qëndrimit, përmes dispozitave priviligjuese etj.
Ndërsa koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe e Alternativa do të kërkojnë reduktimin e verifikimit nga shërbimet e sigurisë. Pritet që Sela dhe Gashi do të kërkojnë që verifikimi i plotë juridik të reduktohet në nivel individi dhe jo në nivel të gjerë familjar dhe miqësor. Sipas opozitës kjo do të ndihmonte që personat të cilët nuk janë drejtpërdrejtë të përfshirë në raportet e shërbimeve të sigurisë dhe nuk kanë shtetësi, t’i hiqet pengesa e cila ndër vite i ka lënë pa status shtetas të Maqedonisë së Veriut.
Në rast se arrihet marrëveshja mbi propozim-Ligjin për shtetësi, opozita shqiptare do të heq dorë nga bllokada e instaluar në Kuvend përmes mijëra amendamenteve për disa propozim ligje.