Edhe përkundër takimeve të shumta të shtatëmbëdhjetë shoqatave të kulturës në Tetovë me Ministrinë e Kulturës, rezultatet janë “zero”. Përqindja e ndarë për projektet shqiptare, mbetet e pandryshuar, pra vetëm 17 për qind. Për këto shoqata një gjë e tillë është e papranueshme. Refuzimi i një numri të madh të projekteve do të çojë në zhdukjen e shtëpive botuese, thotë kreu i Lidhjes së botuesve shqiptarë në Maqedoni të Veriut, Sami Beqiri. Ai thotë se, nuk mban as arsyetimi i ministres së Kulturës se nuk është plotësuar kushti që të mos ketë autorë të huaj. Një gjë e tillë sipas tij nuk ka figuruar në konkurs.
“Ministrja thirret në ligj, pra këtë e arsyeton me ligjin, shkaku se në botime, paraqiten botues apo autor nga jashtë Maqedonisë. E që sipas ministres nuk kanë të drejtë. Kjo ne mendojmë se nuk është e arsyeshme sepse ligji në të cilin thirret ministrja nuk e përjashton mundësinë që gjatë botimit të merr pjesë edhe autor i huaj. Mjafton që subjekti apo shtëpia botuese të jetë nga Maqedonia e Veriut që e kërkon ligji. Dhe këtë kriter e kanë plotësuar shtëpitë botuese nga Maqedonia dhe tash dalin edhe kritere tjera që nuk janë përmendur në konkurs”.
Përfaqësuesit e shtatëmbëdhjetë shoqatave të kulturës janë shprehur të pakënaqur edhe nga takimi me zëvendësministrin e kulturës Sedat Sulejmanin. Paralajmërojnë takime edhe përfaqësuesit e partive politike shqiptare në pushtet.
“Nuk tregonte ndonjë fuqi drejtë për drejtë për ta ndryshuar këtë lloj diskriminimi, andaj gjatë takimit me të, vazhdon ta arsyetojë me faktin se është Ligji ai që diskriminon. Vazhdon ta arsyetojë me faktin se ai është një përfaqësues i rëndësishëm në Ministri por i vetëm është i pafuqishëm për përkrahjen e të tjerëve. Nga ai kemi edhe një prononcim që shpresojmë ta mbaj deri në fund, pra, të veprohet bashkërisht në lidhje me ndryshimin e ligjit sepse fatkeqësisht ne kemi pranuar nga partitë tona që të thirremi popull i përqindjes.