Po kalojnë formë spektakolare, Benzema sfidon Mesin në klasiken e “snajperistëve”

Klasikja e futbollit spanjoll mes Realit të Madridit dhe Barcelonës ka pasur gjithmonë në thelbin e saj futbollin e bukur, spektaklin dhe mbi të gjitha golat. Dhe kur flasim për golat, sigurisht që mendja të shkon te dy lojtarët më të rëndësishëm të të dyja skuadrave: Karim Benzema dhe Lionel Mesi. Shanset për fitoren e të dyja skuadrave kalojnë nga këmbët e tyre.

Ecuria në këtë sezon ka qenë fantastike, sidomos në vitin 2021. Benzema në këtë vit 2021 ka arritur të shënojë 12 gola në 15 ndeshje, 10 prej tyre në La Liga. Ai nuk shënoi ndaj Liverpulit, por gjithsesi madrilenët fituan. Ky është një lajm pozitiv gjithashtu. Deri në çerekfinalet e Champions-it, sulmuesi francez kishte arritur të shënonte në 7 ndeshje radhazi, ecuria më pozitive që nga koha kur ka veshur fanellën madrilene. Ai ka shënuar 9 gola gjatë kësaj kohe të ndarë në këtë mënyrë: Getafe, Valencia, Atl. Madrid, dopietë me Elçen, gol me Atalantën, dopietë me Selta Vigon dhe Eibarin.

LIDERI I REALIT

Karim Benzema ka qenë udhëheqës i Realit të Madridit. Ai ka arritur të shënojë 24 gola në 34 ndeshje, mesatarja më e mirë që nga koha kur është pjesë e madrilenëve. Nëse vazhdon kështu, me shumë mundësi do të përmirësojë ndjeshëm golat që ka shënuar në sezonet e fundit, 30 dhe 27. Rekordi i tij i golave me Realin e Madridit është 32 dhe i ka shënuar me Murinjon në kampionatin historik. Falë golave të tij, Reali është futur sërish në garën për titullin kampion dhe është në çerekfinalet e Champions-it. Ai ka shënuar 5 gola vendimtarë si në grupe ashtu edhe në fazën me eliminim direkt. Në kampionat kërkon të dalë golashënues, por është larg Mesit. Për momentin ka 18 gola, një më pak se Suarez dhe 4 më pak sesa Leo Mesi.

MESI ËSHTË ZGJUAR

Barcelona ka kaluar nga një sezon katastrofë në një moment kur mund të fitojë titullin dhe Kupën. E gjitha kjo, falë shkëlqimit të Lionel Mesit në këtë vit 2021 me statistika të frikshme që kanë treguar versionin e tij më të mirë. Argjentinasi nuk e nisi mirë sezonin. Vendimi për t’u larguar nga Barcelona i krijoi probleme psikologjike dhe në muajt e parë ai ishte larg formës optimale. Nuk shënonte gola, nuk luante ashtu siç duhet. Por, pushimet e Krishtlindjeve e ndryshuan totalisht kapitenin argjentinas. Në vitin 2021 Lionel Mesi është një tjetër lojtar. Me ndryshimin e skemës së Barcelonës dhe integrimin e disa lojtarëve të rinj, Leo po reflekton formën e tij të jashtëzakonshme. Që nga 1 janari ka shënuar 16 gola në 13 ndeshje dhe e ka ndihmuar Barcelonën që të ngushtojë një diferencë të madhe pikësh me Atletikon e Madridit. Atij i është larguar ideja për të lënë klubin dhe kjo po e ndihmon të shkëlqejë. Mesi do të luajë për herë të parë në “Valdebebas”. Në “Bernabeu” gjithmonë i ka ecur mirë sepse ka arritur 12 fitore dhe ka shënuar 15 gola. Të shohim se çfarë do të ndodhë në stadiumin “Alfredo di Stefano”.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *