Marrë nga BIRN, me autor Serbeze Haxhiaj
Mbi 220 gra që kanë aplikuar në Komisionin Qeveritar për Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale janë refuzuar, duke treguar se sa e vështirë mund të jetë të vërtetosh dhunimin që ka ndodhur në luftë më shumë se dy dekada më parë.
Derisa lufta kishte detyruar mijëra njerëz në periferi të qytetit të Drenasit të zhvendosen nga shtëpitë duke lëvizur nga një fshat në tjetrin, për të kërkuar strehë më të sigurt, Sadija po shqetësohej për djalin e saj të vogël, gjashtë muajsh që ishte i sëmurë prej disa ditësh.
Sadija kujton një pasdite me diell më 30 prill 1999 kur vargu i kosovarëve të zhvendosur u ndal në rrugë nga trupat e ushtrisë jugosllave disa kilometra më tej përgjatë rrugës për në qytetin e Skenderajt.
Pasi u detyruan të kalonin natën buzë rrugës, policët dhe ushtarët serbë i ndanë burrat nga gratë dhe i futën gratë me dhunë në dy shtëpi.
Sadija, emri i së cilës është ndryshuar pasi ajo kërkoi të mbetet anonime, tregon se në mbrëmje, ata morën disa nga gratë dhe i dhunuan në shtëpi tjera aty pranë.
“Në dy shtëpitë kishte 11 ose 12 gra të tjera, por unë nuk i njihja”, tha ajo.
Fakti që ajo nuk i dinte emrat e viktimave të tjera femra rezultoi vendimtare shumë vite më vonë kur ajo përpiqej të vërtetonte atë që i ndodhi asaj.
Ajo dhe të tjerat ishin mbajtur mbyllur për tri ditë duke u dhunuar sistematikisht nga dy ushtarë dhe një oficer policie.
“Njëri prej tyre, një polic, ishte pak i shëndoshë dhe ezmer. Ata e thërrisnin “komandant”, “, kujton ajo.
Kur policët e kishin tërhequr zvarrë ta dhunuar në një hambar, këmba e saj e majtë ishte lënduar dhe tre muaj më vonë, pasi përfundimit të luftës, ajo iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjike. Megjithatë, ajo vazhdoi të kishte probleme me këmbë dhe në vitin 2017 iu desh t’i nënshtrohej një tjetër operacioni.
Në shkurt 2018, filloi një proces verifikimi për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës. Ky status nuk mundëson vetëm një njohje zyrtare të vuajtjeve të një viktime, por gjithashtu ato përfitojnë një pagesë mujore prej 230 eurosh.
Që kur filloi punën, Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës në Kosovë ka marrë më shumë se 1,220 aplikacione dhe më shumë se 900 prej tyre u është dhënë statusi i viktimës të dhunës seksuale të kohës së luftës.
Por 222 të tjera u refuzuan dhe Sadija ishte njëra prej tyre.
Ndërsa lëkundej vazhdimisht në karrigen e saj dhe pasi ndaloi dy herë prej vajit, Sadija tregoi se intervista me anëtarët e Komisionit verifikues ishte i sikletshëm për të.
“Ata më pyetën më shumë për gjendjen time financiare sesa për dhunimin. Nuk më lanë të flisja aq shumë”, tregon ajo.
Ajo tha se kjo e bëri të ndihej sikur po “mashtronte” komisionin.
Trauma e saj e papërpunuar, konfuzioni, shkëputjet në rrëfimin e ngjarjes, si dhe mungesa e dëshmitarëve dhe dokumenteve për të provuar se ishte dhunuar, e kishin bërë të dukej jo bindëse dhe jo e besueshmërie për komisionin e verifikimit. Kërkesa e saj ishte plotësuar gjithashtu nga një avokat i cili nuk ishte nga një OJQ e licencuar nga qeveria për ta bërë këtë gjë.
Qeveria ka licencuar katër OJQ, Medica Gjakova, Medica Kosova, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave për të ndihmuar viktimat të plotësojnë dhe dorëzojnë aplikacionet e tyre në Komision.
“Shumica e rasteve të refuzuara janë ato aplikacionet e të cilave nuk u plotësuan nga OJQ-të e licencuara”, ka thënë për BIRN Feride Rushiti, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.
Në shumicën e rasteve, Komisioni verifikues kërkon raporte mjekësore nga viktimast, veçanërisht nga ata që më herët nuk ishin regjistruar më parë si viktima lufte ose që nuk kanë asnjë dëshmitar për t’i mbështetur aplikimet e tyre.
Por zyrtarët e Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale thonë se kriteret e aplikimit nuk janë të ashpra ose të komplikuara. Kryetarja e këtij komisioni, Minire Begaj, i tha BIRN se të gjitha aplikimet shqyrtohen me “profesionalizëm dhe seriozitet”.
“Arsyet e refuzimeve janë në rastet kur komisioni nuk është bindur për ngjarjen e pretenduar traumatike”, tha Begaj.
“Komisioni nuk thotë që pretendimet nuk janë të vërteta, por se nuk ka mundur të arrij në përfundim se statusi duhet të aprovohet “, shpjegon ajo.
Mustafe Prenku, kryetar i Organizatës së Invalidëve dhe Viktimave Civile të Luftës, thotë se është ” vërtetë zhgënjyese se si komisioni po refuzon viktimat duke kërkuar raporte mjekësore ose dëshmitarë”.
Frika nga zbulimi dhe stigma është një nga arsyet pse shumë gra nuk kanë më dokumente mjekësore për të provuar rastin e tyre, tha Prenku për BIRN.
“Shumë viktima i kanë shkatërruar dokumentet e tyre sepse druheshin se do të zbuloheshin nga familjarët. Komisioni duhet të jetë më i fokusuar te trauma e tyre”, shpjegoi ai.