Joan Laporta dhe Florentino Perez, presidentët e Barcelonës dhe Realit të Madridit, do të ritakohen sërish në tribunën e stadiumit për një “El Clasico”. Diçka e tillë nuk ndodhte që nga 10 prilli i vitit 2010, datë kur Barcelona fitoi 0-2 me golat e Lionel Mesit dhe Pedros.
Laporta e ka bërë të qartë gjatë fushatës elektorale për presidencën e Barcelonës që kishte shumë dëshirë të luante kundër Realit të Madridit dhe këtë e tregoi me banderolën madhështore që publikoi afër stadiumit “Bernabeu”.
Në të shkuarën, dy presidentët janë përballur me njëri-tjetrin në 7 “El Clasico” dhe bilanci është shumë pozitiv për numrin një të katalanasve. Laporta ka fituar 5 klasike si president i Barcelonës (1-2, 3-0, 0-3, 1-0 dhe 0-2), ndërsa Perez dy herë (1-2 dhe 4-2).
Nuk duhet të harrojmë që Laporta ishte president edhe në fitoren historike 2-6 të Barcelonës në sezonin 2008-2009, kur ishte fillimi i etapës së dytë të Perezit si president i Realit të Madridit. Të dy janë presidentë të apasionuar dhe tifozë të ekipeve përkatëse.