De Biazi flet për Kombëtaren: 2-0 me Anglinë është mirë se…
De Biazi është rikthyer që të komentojë për Kombëtaren Shqiptare pas suksesit të arritur me kuqezinjtë në Europianin e Francës. Aktualisht si trajneri i Azerbajxhanit, trajneri italian zhvilloi një intervistë për “Skaner” që moderohet nga Çarçani dhe transmetohet në “MCN Television”.
“Në jetë duhet të besosh edhe gjëra që duken të pabesueshme në fillim. Kështu ishim edhe ne atëherë kur u kualifikuam në Europian. Anglia është e padiskutueshme në vendin e parë, por mund të bëhet rezultat kundër Polonisë dhe Hungarisë. Për t’ia dalë në fillim duhet të besosh.
Të humbësh 2-0 kundër Anglisë është një rezultat i mirë, pasi janë skuadra që mund të bëjnë 4-5. Unë nuk e kam parë ndeshjen, por kjo është përshtypja që me jep. E rëndësishme është që ndaj skuadrave si Anglia të shfaqesh veten. Ata kanë lojtarë shumë kualitativ pavarësisht se edhe Shqipëria ka futbollistë në Seria A.
I pyetur se kush Kombëtare e Shqipërisë është më e fortë, kjo aktuale e Edy Rejas apo e tij në 2016 që shkoi në Europian, De Biasi tha: “Për mua skuadra ime e Shqipërisë ishte skuadra më e fortë në botë”. /Sport Ekspres/