Një ditë para takimit të liderëve Zoran Zaev-Hristijan Mickoski, dy subjektet e tyre përcaktojnë vijat e kuqe për të cilat edhe do të bisedohet në takim. Derisa LSDM-ja akuzon Mickoskin për obstruksion ndaj procesit të regjistrimit, opozita maqedonase adreson kritika ndaj Qeverisë për rrezikimin e shëndetit të qytetarëve përmes regjistrimit. Socialdemokratët i ftojnë qytetarët të mos bien nën ndikimet e VMRO-DPMNE-së.
Qytetarët të mos përulen nga manipulimet dhe thirrjet për bojkotimin e këtij procesi të rëndësishëm statistikor. Bojkoti është vepër penale, procedurë e cila nuk i sjell mirë askujt dhe vepër e cila rrezikon interesat shtetërore dhe kombëtare”, LSDM.
VMRO-DPMNE-ja akuzon se regjistrimi është marrëveshje politike me partnerët e koalicionit qeveritar dhe se Zaev nuk guxon ta anulon procesin. Nga partia e Mickoskit thonë se pas regjistrimit vendi do të thellohet edhe më tepër në krizë shëndetësore.
“Me këtë veprim Zaev dhe Filipçe me vetëdije i çojnë qytetarët në rrezik për jetën. A është i vetëdijshëm Zaev se 5.500 regjistrues duhet të futen nëpër secilën shtëpi në shtet. Pjesa dërmuese e tyre mund të jenë pa simptoma dhe t’i infektojnë qytetarët me sëmundje kronike, të cilët do të kenë pasoja fatale. Duke shkuar me kokën në mur, Zaev edhe njëherë po vërteton se marrëveshjet politike me partnerët janë më të rëndësishme se shëndeti qytetarëve”, tha VMRO-DPMNE.
Burime jo zyrtare nga dyja subjektet nuk përjashtojnë mundësinë e anulimit të regjistrimit për muajin shtator, por thonë se ky opsion duhet diskutuar edhe me partitë parlamentare shqiptare. Në takimin e të hënës që do të mbahet në Klubin e Deputetëve dy liderët e bllokut politik maqedonas do të diskutojnë edhe për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe zgjedhjet lokale të parapara në muajin tetor. Lidhur me zgjedhjet e parakohshme parlamentare, lideri i opozitës është pajtuar që si fillim të shihet rezultati i zgjedhjeve lokale dhe më pas të vendoset për zgjedhje të mundshme parlamentare.