Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Kosova po punon ditë e natë për të siguruar vaksinën antiCovid.
Në llogarinë e tij në Twitter tregoi për bisedën që ka pasur me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Kurti shkroi se Ursula von der Leyen ia ka konfirmuar angazhimin e Bashkimit Europian për shpërndarjen e vaksinave për qytetarët e Kosovës.
Më herët, presidentja e KE-së tha se shumë shpejt pritet të vijnë vaksinat në Kosovë për vaksinimin e personalit shëndetësor dhe personave në nevojë.
“Së bashku do ta tejkalojmë pandeminë”, ka shkruar Leyen.
Shtetet e rajonit tashmë kanë nisur fushatën e vaksinimit kundër coronavirusit, vetëm Kosova ende nuk ka siguruar asnjë vaksinë kundër virusit COVID-19.
Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se në Kosovë gjatë marsit do të arrijë kontingjenti i parë me vaksina të kompanisë britanike, AstraZeneca.
Ky kontingjent është në kuadër të 100.800 dozave që Kosova do të marrë falas përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.