10 km larg Shkupit, në zonë malore ndodhet fshati Gërçec, i cili sipas regjistrimit të vitit 2001 numëron vetëm një banor, por tani fsheh shumë sekrete. Aksioni të cilin e zbatonte policia dhe Prokuroria e mban emrin “Mali”, pikërisht për shkak të vendndodhjes së këtij fshati. Ora është 4 e mëngjesit. Në Gërçec janë të përgatitur dhe dinë se policia do të hyjë, prandaj drogën e kanë “transportuar” në lokacione të sigurta, kurse 5 narko-bosët janë arratisur. Megjithatë, janë bastisur 26 lokacione.
“Sipas masave të posaçme hetuese të cilat përfundojnë sot, e të cilat kanë të bëjmë me këta 5, gjegjësisht 6 persona të cilët kërkohen, kemi njohuri se aksioni në fshatin Gërçec është zbuluar para kohe. Por, edhe pse kishim informacione se ku mbahet droga, gjithçka ishte e pastruar. Pjesëtarët e policisë dhe inspektorët nuk arritëm të gjejnë sasi më të madhe”, tha Villma Ruskoska.
Vetëm 15 km linjë ajrore, në Gazi Babë në po të njëjtën kohë policia bastisi 9 lokacione. Prokuroria nuk ka prova se dy grupet kanë bashkëpunuar, por thotë se kanë dëshmi për çdo person veç e veç.
“Nga dy grupet janë sekuestruar mbi 80 mijë euro, mbi 300 mijë denarë, 500 franga. Sa i përket drogës së gjetur narkotike, nuk mund të them saktë, do t’ju tregoj përafërsisht për shkak se ekspertizat ende nuk janë gati, pas çka do të dihet sasia e saktë. Janë gjetur rreth 5kg marijuanë, dhe rreth 600-700 gramë kokaina”, shtoi Ruskoska.
Për shkak se ishin përgjuar dhe ndjekur fizikisht, hetuesit kanë ditur se nuk do të gjejnë sasi të madhe të drogës, por shtojnë se kanë prova të tjera në lidhje me këtë.
Pjesa më e madhe e drogës është gjetur në Gazi Babë, më pak në Gërçec. Janë sekuestruar edhe tre automjete por dilerët kryesorë nuk janë gjetur, por janë gjetur vetëm çelësit e disave prej tyre.
Pyetjeve të TV21, prokurorja Ruskoska u përgjigj se po ndërmerret gjithçka që të gjenden dilerët e drogës.
“U është kërkuar stacioneve policore të na dërgojnë njoftim nëse këta persona janë të kapshëm apo jo. Nëse marrim përgjigje se janë të pakapshëm, atëherë do të kërkojmë nga gjykatësi i procedurës paraprake që atyre t’u shqiptojë masë paraburgimi në mungesë dhe do të shpallet fletarrestim të brendshëm dhe ndërkombëtar”, u shpreh Villma Ruskoska.
Nga Gërçeci janë privuar nga liria 13 persona. 9 janë në paraburgim, 3 në paraburgim shtëpiak dhe për një person janë shqiptuar masa për kujdes të shtuar. Në aksionin është arrestuar edhe një person i mitur për të cilin do të veprohet veçmas. Nga gazi Baba në paraburgim përfunduan 8 persona ndërsa një person ende po kërkohet.