Shoqata e personave me aftësi të kufizuara “SOS VITA”, sot para Ministrisë së Kulturës në shenjë revolte për moslëshimin e 290.000 denarëve për një projekt të cilin e kanë fituar në vitin 2020, mbajtën konferencë për shtyp dhe kërkuan nga kryeministri dhe ministrja që t’i lëshojnë mjetet në afat sa më shkurtër kohor, njofton Portalb.mk.
“Është e dyta herë që po vijmë këtu për ta kërkuar një të drejtë që e kemi fituar, s’kemi asnjë përgjigje nga askush. I them ministres Irena se çfarë kulture po tregon kur nuk i respekton personat me nevoja të veçanta. Ne si shoqatë, kemi aplikuar në vitin 2020, projektin e kemi fituar dhe nuk i kemi të hollat ende, dhe për këtë nuk mërzitet askush. Personat me nevoja të veçanta ende mbeten të anashkaluar”, tha kryetari i Shoqatës, Ertan Shaqiri.
Ai e ftoi kryeministrin dhe ministren e Kulturës që sa më shpejtë t’i ndajnë paratë pasi që sipas tij, çështja është vetëm për një nënshkrim.
“I bëj apel kryeministrit Zaev që këtë problem ta zgjidh brenda 24 orëve. Ju bëj apel deputetëve, ministres, kryetarëve të partive, që të bëhet kjo pagesë dhe të mos luajnë personat me nevoja të veçanta. Prej vitit 2020, sot nesër, sot nesër për një nënshkrim, për atë është turp. Kudo që të shkosh në botë, personat me aftësi të kufizuara janë të parët, por ne te ne flenë kryetarët e partive dhe përfaqësuesit qeveritar”, tha Shaqiri.