Anëtarë e deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë nisur ta kundërshtojnë kryetarin e ri të kësaj partie, Lumir Abdixhikun, pas deklarimeve të tij se do të takohet me kandidaten për presidente Vjosa Osmani, për të parë pozicionin politik që ajo do ta mbajë si presidente e ardhshme. Kundërshtimet ndaj Abdixhikut kanë bërë që deputetë e nënkryetarë të partisë të përplasen mes vete
Nënkryetarë, deputetë e anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që nga zgjedhja e kryesisë së re, kanë nisur që publikisht t’i shfaqin pakënaqësitë që kanë mes vete. E nuk ka kaluar shumë, vetëm një javë.
Ata janë ndarë në disa grupe, të paktën sipas opinioneve të deritashme, pas ndryshimeve që së fundmi ndodhën në parti, si me zgjedhjen e kryetarit, ashtu edhe të kryesisë së LDK-së.
Disa nga ta nuk po pajtohen me iniciativën e kryetarit, Lumir Abdixhiku, të përkrahur nga kryesia, që të takohet me ish-nënkryetaren e LDK-së dhe pretendenten për presidente, Vjosa Osmani.
“Kryesia e LDK-së ka mbështetur iniciativën e propozuar në takimin e djeshëm që LDK-ja të vazhdojë diskutimet dhe bisedat vetëm me zonjën Osmani. Kryesia i ka dhënë mbështetje nismës sime, po presim që gjatë javës ta caktojmë takimin”, kishte deklaruar Lumiri pas zgjedhjes së kryesisë së LDK-së të shtunën.
Kundër takimit me Osmanin, ka dalë bashkëpartiaku Driton Selmanaj, i cili pritet të jetë deputet në legjislaturën e re të Kuvendit. Përmes një postimi në Facebook, Selmanaj e ka kritikuar Abdixhikun se me këtë veprim do ta dëmtojë edhe më shumë Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Çdo përpjekje për ta ndarë apo diferencuar Vjosën nga Albini dhe Vetëvendosja, është përpjekje për ta transferuar mashtrueshëm votën te projekti i këtij binomi të dëmshëm politik. ‘Turri dhe vrapi’ për ta takuar Vjosën nuk është asgjë tjetër, pos turr për ta rrëzuar edhe më shumë LDK-në dhe dinjitetin e 110 mijë votuesve qëndrestarë të saj”, ka shkruar ai.
Kundër Selmanajt e në mbrojtje të Abdixhikut është rreshtuar, nënkryetari i rizgjedhur i LDK-së, Anton Quni. Sipas Qunit, veprimet e Abdixhikut karshi Osmanit kanë qenë dhe janë konstruktive.
“Lumiri ishte i fundit nga liderët e partive që takoi, znj. Osmani; në konsultim gjithëpërfshirës me strukturat e LDK-së. Nuk kishte as ‘turr’ e as ‘vrap’! LDK-së po i rikthehet dinjiteti me hapa shumë të sigurt. ‘Dream Team’ (Ekip i ëndrrave v.j.) në krye me Lumirin”, është shprehur Quni.
Selmanaj ka reaguar sërish ndaj Qunit, duke ia përmendur atij dhe kryetarëve të tjerë të degëve të LDK-së humbjet që i kanë pasur në komunat e tyre në zgjedhjet e 14 shkurtit. Ai ka ironizuar me Qunin duke e quajtur “gjeneratë e re reformatore”.
“Pajtohem që zërin qytetar duhet dëgjuar me shumë kujdes dhe që reflektimi të ndodh me domosdoshmëri, por ky reflektim duhet të fillojë pikërisht nga ata që për 20 vjet mbajtën pozita të rëndësishme në LDK, dhe ata që në degët e tyre në zgjedhjet e fundit humbën mbi 50% të elektoratit të LDK-së. Është e ligë dhe tejet e ulët që të tillët të na ripaketohen si reformatorë apo “Dream Team”, ka thënë Selmanaj.
Selmanaj, që në Qeverinë në detyrë mban postin e zv.kryeministrit, nuk është zgjedhur në kryesinë e re të LDK-së.
Dy anëtarëve të degës së LDK-së në Prizren, u ka reaguar kryetari i Forumit Rinor i po kësaj dege, Florent Ukaj, i cili ka qenë edhe kandidat për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Po përzihet Perzereni, na u kanë qartë zotnitë ndër veti”, ka shkruar Ukaj në Facebook.
Abdixhikun e kanë kritikuar edhe anëtarë të tjerë të LDK-së.
Melihate Tërmkolli i ka quajtur pakurrizorë drejtuesit e rinj të LDK-së duke thënë se tashmë është realizuar pikë për pikë projekti i akademisë së Serbisë.
“Bravo Fatmir Sejdiu e Nexhat Daci! Bravo Sabri Hamiti e Isa Mustafa & Co! Bravo Vjosa Osmani & Co! Bravo akademikë të LDK-së! U realizua pikë për pikë plani e projekti i Akademisë së Serbisë”, ka shkruar Tërmkolli.
Derisa, anëtari tjetër i kësaj partie Naser Rugova, i ka quajtur eksperimente të Abdixhikut veprimet e tij prej kur e ka marrë timonin e LDK-së.
“Partia reformiste ORA, logjika dhe filozofia e saj politike e bazuar mbi idenë e supremacisë së elitave të rrejshme, është refuzuar nga elektorati i Kosovës. E njëjta ka ndodhur edhe me nënproduktin e saj FER të krijuar më vonë. Pse kjo formulë e dështuar politike duhet të reciklohet në majat e LDK-së, si parti tradicionale dhe themeltare e shtetit të Kosovës? Çka është ky eksperiment me LDK-në që po e bën Kryetari i ri? Ku duam të shkojmë kështu?”, është shprehur ish-deputeti LDK-së, Rugova.
KOHA ka provuar të kontaktojë me sekretarin dhe nënkryetarët e LDK-së për përplasjet brenda partisë, por ata nuk kanë pranuar të flasin.