Kombëtarja Shqiptare ka nisur nga Barcelona rrugëtimin e eliminatoreve të Kupës së Botës Katar 2022, teksa pikërisht në kryeqendrën e Katalunjës është vendosur të bëhet edhe grumbullimi në prag të sfidës së parë ndaj Andorrës më 25 mars.
Gjatë mbrëmjes së djeshme dhe paradites së sotme në Barcelonë kanë mbërritur thuajse të gjithë futbollistët e thirrur nga Edi Reja, teksa pritet t’i bashkohen grupit mbrëmjen e sotme vetëm Etrit Berisha dhe Florian Kamberi.
Ndërkohë sot në orën 17:00 kuqezinjtë kanë zbritur në fushën e kompleksit stërvitor të Espanyolit, “Daniel Jarque” për të kryer seancën e parë, teksa trajneri Reja e ka ndarë skuadrën në dy grupe.
Në njërin prej tyre bënin pjesë emra si Hysaj, Cikalleshi, Manaj, Broja, Hoxhallari, Ramadani e Gjimshiti, të cilët luajtën me skuadrat përkatëse dje dhe sot u ngarkuan të bëjnë ushtrime shkrydhëse e vrapime të lehta rreth fushës.