Pse uniformat e policisë ende nuk janë shqip? Më shumë se gjysmë viti që kur Nuhiu i ka nënshkruar aktet normative

Uniformat e policisë dhe njësiteve të tjera të Ministrisë së Brendshme, vazhdojnë të jenë vetëm në gjuhën maqedonase. Mbishkrimi në shqip assesi të vendoset mbi emblemat e organeve të rendit!

Ka kaluar mbi gjysmë viti që kur ish-Ministri i Brendshëm, Agim Nuhiu, i dërgoi në Qeveri aktet normative për uniforma dygjuhëshe, por deri më sot asgjë nuk ka lëvizur.

Sa është i paqartë ky proces, po aq e paqartë është edhe deklarata e zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi i cili u pyet se pse uniformat e policisë ende nuk janë në dy gjuhë.

“Akti normativ i z.Agim Nuhiu gjersa ushtronte detyrën e ministrit të Punëve të Brendshme ishte gjatë kohës së Qeverisë teknike dhe përballjes së pandemisë, do ta ripërsërisim sepse gjithsesi se duhet të respektohen ligjet, në veçanti ligji për përdorimin e gjuhëve dhe nuk shoh ndonjë rezervë nga partneri ynë i koalicionit”, deklaroi zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi.

Në dhjetor 2020, Spasovski pat deklaruar se sapo Qeveria të përfundojë procedurat me aktet normative, do të fillojnë zbatimin e dygjuhësisë.

“Në atë periudhë u ngrit procedura në lidhje me realizimin e dispozitave ligjore, ajo procedurë është para qeverisë, sapo të përfundojë, do të fillojmë me zbatim”, deklaroi Spasovski më 04.12.2020.

Edhe 3 muaj pas kësaj deklarate, asgjë nuk ka ndodhur. Që në gusht të 2020, ish-Ministri Agim Nuhiu nënshkroi aktet normative që emblemat e policisë të jenë edhe në shqip, ndërsa për TV21 pat sqaruar se këto akte do të duhet të marrin edhe pëlqimin e Qeverisë dhe më pastaj të hapen edhe procedurat e tenderimit që të munden edhe praktikisht të intervenohet në emblem.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *