Shifrat prej bomberi, Guardiola zbulon lojtarin më inteligjent që ka pasur

Pep Guardiola lavdëron mesfushorin e tij Ilkai Gyndoan, duke e quajtur një prej lojtarëve më inteligjentë që ai ka parë ndonjëherë. Trajneri i Mançester Sitit ngeli shumë i kënaqur nga ndeshja e fundit e gjermanit kundër Gladbahut në Champions, ku Gyndoan shënoi edhe golin e dytë të fitores 2-0, e cila i dërgoi “Qytetarët” në çerekfinalet e Champions-it. “Ilkai ka pasur gjithnjë atë ndjesinë e njohjes së portës.

Ai e ka këtë cilësi unike e cila bën që ai të shënojë sa herë i afrohet portës. E ka pasur që kur luante te Dortmundi”, tha trajneri katalanas, duke shtuar: “Ai është një djalë i shkëlqyer. Nuk do ta harroj kurrë kohën që kemi punuar së bashku. Si futbollist, ai është një prej lojtarëve më inteligjentë dhe më të zgjuar që unë kam stërvitur dhe parë ndonjëherë. Këtë sezon, sa herë i është afruar portës, ai ka shënuar.

Ai e ka këtë cilësi, por jo vetëm këtë. Jam shumë i kënaqur me lojën e tij dhe të të gjithë skuadrës”, shtoi 50- vjeçari për blerjen e tij të parë në “Etihad”. Statistikat e mesfushorit këtë sezon janë si ato të një sulmuesi: ai ka shënuar 12 gola në 23 ndeshje në Premier Ligë dhe 3 gola në 7 ndeshje në Champions. Deri tani, 30-vjeçari ka regjistruar edhe 3 asiste.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *