Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në konferencën për media pas takimit me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se Kosova do të jetë e përkushtuar në dialogun me Serbinë, por si shtete të barabarta dhe në një proces që do të rezultojë me njohjen reciproke.
Osmani tha se Kosova do të jetë e përgatitur për dialogun dhe të respektojë interesat e qytetarëve të Kosovës, ndërsa tha se nuk do të diskutohet në Bruksel për kufijtë pasi Kosova më 17 shkurt 2008 është shpallur shtet i pavarur dhe sovran, në kufijtë ekzistues.“Për Kosovën procesi i dialogut duhet të ketë një rishikim, ndër të tjera do të ndihmojë që Kosova të jetë e përgatitur dhe të respektojë interesat e qytetarëve të Kosovës…. në një proces që duhet të rezultojë me njohje reciproke në kufijtë aktual të Kosovës”, tha Osmani, duke shtuar se ka kërkuar që sapo të formohen institucionet e reja të marrin informatat për këtë proces 10 vjeçar të dialogut për të parë cilat marrëveshje janë zbatuar, e cilat jo.