Në lidhje me deklaratën e drejtorit të Entit Shtetëror të Statistikës, Apostoll Simovski, të dhënë më 1 mars 2021 për TV21 lidhur me pretendimet se Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së (AZGJ) nuk i përkthen klasifikimet që kërkohen për regjistrimin, do të donim ta demantojmë një deklaratë të tillë të pavërtetë dhe tendencioze të tij dhe t’i theksojmë faktet në vijim:
Në interes të realizimit të të drejtave të qytetarëve, me iniciativë të drejtorit të AZGJ-së, Ylber Sela, më 10 shtator 2019 është realizuar një takim pune me drejtorin Simovski, ku, nga ana e AZGJ-së, është ofruar ndihmë profesionale në pjesën e përkthimit dhe të lekturës së formularëve të cilët i përdor Enti Shtetëror i Statistikës për qëllime statistikore.
Ndihma konkrete që u kërkua nga AZGJ-ja për përkthimin dhe lekturimin e formularëve zyrtarë të fushave të ndryshme statistikore u realizua plotësisht nga shërbimet profesionale të AZGJ-së, me ç’rast, në takimin e punës me ish zëvendësdrejtorin e Entit Shtetëror të Statistikës, Zirap Ademi, të mbajtur më 23 dhjetor 2019, aktet e përkthyera dhe të lekturuara iu dorëzuan Entit Shtetëror të Statistikës. Për këtë ekzistojnë dëshmi edhe në arkivin e AZGJ-së, si dhe në njoftimet mediatike të cilat janë në dispozicion në ueb faqen zyrtare të AZGJ-së.
Përveç kësaj, më 24 shkurt 2021, AZGJ-së i është dorëzuar për përkthim dhe lekturë Udhëzimi për regjistrimin e popullsisë, amvisërive dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, 2021, e që më 25 shkurt ia kemi dorëzua Entit Shtetëror të Statistikës të përkthyer dhe të lekturuar në gjuhën shqipe. Njëkohësisht, Enti Shtetëror i Statistikës më 25 shkurt dhe 1 mars të këtij viti, me anë të postës elektronike i ka dërguar për përkthim dhe lekturë edhe materialin tjetër në lidhje me regjistrimin, që është i vëllimshëm e që nevojitet kohë për t’u përpunuar. Sidoqoftë, edhe ky do t’i dorëzohet në kohë Entit Shtetëror të Statistikës thuhet mes tjerash ne njoftimin e Agjencionit per Zbatimin e Gjuhes shqipe.