Zëvendës ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit dhe përfaqësuesi i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer ka deklaruar se interesat e Shteteve të bashkuara në rajon, janë të qëndrueshme dhe strategjia ndaj këtyre vendeve në thelb ka mbetur e pandryshuar.
“Ajo që ne do të dëshironim të shihnim është që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë të forta, të gjalla, të begata, në paqe me veten dhe me fqinjët si dhe të integruar në institucionet europiane. Kjo do të thotë anëtarësim në Bashkimin Europian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, anëtarësim në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut për të gjithë ata që e marrin këtë vendim dhe që aspirojnë anëtarësimin.”
Duke iu referuar zhvillimeve më të fundit në Kosovë, në një intervistë për zërin e amerikës, zyrtari i lartë shprehet se qeveria e re duhet t’i japë përparësi dialogut me Serbinë.
“Shtetet e Bashkuara po investojnë në këtë drejtim përpjekje të konsiderueshme, energji dhe kapital politik. Ne mbështesim plotësisht procesin e dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Europian dhe punën e Miroslav Lajcakut si Përfaqësues i Posaçëm i Brukselit. Nëse mund të ketë normalizim dhe ripajtim Serbi-Kosovë, kjo është gjë e mirë për të gjithë në rajon.”