Pas futbollistëve nga Kumanova, Taulant Seferi dhe Lindon Selahi, kombëtarja e Shqipërisë në të ardhmen pritet të jetë e pasuruar edhe me një futbollistë tjetër nga Maqedonia e Veriut. Fjala është për futbollistin me origjinë nga Tetova, Nedim Bajrami, i cili aktualisht luan në Itali me skuadrën e Empolit, njofton “infOSport.mk”.
Insistimi i vetë trajnerit Reja për lojtarin në fjalë dhe angazhimi i FSHF-së, ka bërë që Bajrami të japë OK-in për nisjen e procedurave që të bëhet një futbollist i Shqipërisë.
Mirëpo, në qendër të të gjithë procedurave, është vetë futbollisti i cili për këtë hap të karrierës së tij, nevojitet të firmosë një kërkesë drejtuar FIFA-s me kërkesën për të luajtur me Kombëtaren e Shqipërisë, duke e ndryshuar përfaqësuesen zvicerane, me të cilën ka qenë pjesë e skuadrave të moshave.
Këtë procedurë e ndoqi pak kohë më parë edhe Florian Kamberi. Në bazë të rregulloreve të FIFA-s, lojtarët kanë të drejtë në karrierën e tyre që të ndërrojnë vetëm një herë përfaqësuesen, nëse nuk kanë debutuar në ndeshje zyrtare me një kombëtare A.