DISTRIA KRASNIQI DHE DARDAN BERISHA “LAURETËT 2020”
Komiteti Olimpik i Kosovës ka mbajtur ceremoninë e ndarjes së çmimeve për sportistët më të mirë të vitit “Laureatët 2020”. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës Avdullah Hoti, Ministrja në detyrë për Kulturë Rini dhe Sport Vlora Dumoshi, Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës Besim Hasani, xhudistja Majlinda Kelmendi e personalitete të tjera nga fusha të ndryshme.
Sportisti i vitit 2020, u shpall basketbollisti Dardan Berisha, Sportistja më e mirë e vitit 2020 u shpall xhudistja Distria Krasniqi, ndërsa epiteti trajner I vitit edhe kësaj radhe i takoi trajnerit të xhudos Dritan Kuka.
Çmimin Shpresat Olimpike për vitin 2020 për femra e mori xhudistja Laura Fazliu, çmim ky i cili u nda nga drejtoresha e Agjensisë se Lajmeve KosovaPress, Suzana Hashani. Çmimin Shpresa Olimpike 2020 për meshkujt e fitoi Betim Maliqi nga Federata e Karatesë. Çmimin për arritje speciale në sport për vitin 2020 e mori Latif Demolli nga Federata e Boksit të Kosovës. Kombëtarja më e mirë e vitit për vajzat u shpall Kombëtarja e Futbollit të Kosovës. Kombëtarja e Kosovës në basketboll u shpall si më e mira nga të gjitha kombëtaret tjera në kategorinë e meshkujve.