Të dhënat më të reja, të publikuara nga organizata britanike e bamirësisë “The Less Survivable Cancers Taskforce”, kanë sugjeruar se vetëdijesimi për simptomat e kancerit është rrezikshmërisht i ulët dhe se COVID-19 e ka përkeqësuar edhe më shumë situatën veçse kritike
Londër, 4 shkurt (AP) – Ekziston shqetësim përherë më i madh në Mbretërinë e Bashkuar se personat që përballen me llojet më vdekjeprurëse të kancerit janë duke i anashkaluar simptomat dhe po i shtyjnë kontrollet mjekësore për shkak të frikës se mund të shkaktojnë ngarkesë më të madhe për shërbimet shëndetësore të vendit.
Të dhënat më të reja, të publikuara nga organizata britanike e bamirësisë “The Less Survivable Cancers Taskforce”, kanë sugjeruar se vetëdijesimi për simptomat është rrezikshmërisht i ulët dhe se COVID-19 e ka përkeqësuar situatën tashmë kritike.
Për John dhe Pam Elliott, 2020-a ishte viti më i gjatë ndonjëherë, jo vetëm për shkak të COVID-19, por edhe për shkak të kancerit.
Ajo që Johni mendonte se ishte thartirë e stomakut dymbëdhjetë muaj më parë, ishte në fakt një tumor në ezofagun e tij. Pas gjashtë trajtimeve me kimioterapi dhe një operimi, Johni ia doli ta çrrënjoste tërësisht kancerin.
“Po përjetoja reagime në lukth dhe thartirë, ngase përherë kam qenë një prej atyre personave që pëlqejnë ta hanë shpejt ushqimin”, ka thënë Johni.
Kërkimi i hershëm i ndihmës mjekësore ia shpëtoi jetën, por kjo nuk është gjëja që të gjithë e bëjnë.
Besohet se vetëm 12 për qind e personave me kancer në ezofag mund të shërohen. Diagnostikimi i hershëm është çelësi, por gjatë pandemisë përherë e më pak njerëz me llojet më vdekjeprurëse të kancerit janë duke kërkuar ndihmë mjekësore.
“Mendoj se kanë shqetësime, e dini, se e ngarkojnë shërbimin shëndetësor”, ka thënë Anna Jewell, udhëheqëse e organizatës së bamirësisë “The Less Survivable Cancers Taskforce”. “Mendoj se njerëzit janë edhe të shqetësuar se mos preken nga COVID-19 nëse shkojnë në spital. Janë shumë të shqetësuar, mendoj, nga përhapja e virusit, nga përhapja e variantit të ri të koronavirusit”.
Spitalet në Britaninë e Madhe vazhdojnë të përballen me vështirësi në luftimin e COVID-19, teksa shërimi i pacientëve të sëmurë varet ekskluzivisht nga ofrimi i njohurive më të provuara në shkencën e mjekësisë.
Por, pavarësisht rrethanave të vjetra dhe të reja, këshilla kryesore mjekësore për rastet e kancerit vazhdon të jetë: “Mos i anashkaloni simptomat dhe shkoni për t’u vizituar te mjeku”.
“Mos e shtyni”, ka thënë Johni.
Është ky një paralajmërim prej një personi që e kupton mirë urgjencën.