Filmi artistik nga Kosova, ‘Zgjoi’ me regji nga Blerta Basholli bëri historinë sot duke rrëmbyer tri çmimet kryesore të Sundance Film Festival: Filmi më i mirë, Regjisorja më i mirë, dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në SHBA.
“Të shpërblehem nga festivali im i preferuar, ka rëndësi të papërshkrueshme për mua. Dua t’i ndaj këto çmime me të gjithë ekipën, aktorët dhe posaçërisht me Fahrije Hotin të cilën e mbaj në zemër që nga momenti i parë që e kam takuar, dhe e cila është shembull për të gjithe ne”, u shpreh Blerta përmes një video mesazhi me rastin pranimit të çmimit ‘Regjisorja më e mirë’, gjatë ceremonisë së ndarjes çmimeve.